Klinaku i AAK-së zotohet për heqjen e ish-ushtarëve të UÇK-së nga listat e ndalimit të Interpolit

Një temë e ndjeshme dhe shpesh e anashkaluar në diskursin e përditshëm politik, ka trajtuar kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), biznesmeni nga diaspora, Mehmet Klinaku, që është persekutimi burokratik i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përmes fletarresteve ndërkombëtare dhe listave të zeza.
Klinaku e ngriti këtë çështje jo vetëm si problem juridik, por si një shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe lirisë së lëvizjes, duke premtuar se si deputet do të angazhohet maksimalisht për pastrimin e këtyre listave që ende mbahen aktive nga mekanizmat ndërkombëtarë, shpesh me insistimin e Serbisë.
‘Është e papranueshme që në shekullin 21, njerëzve që mbrojtën pragun e shtëpisë t’u mohohet lëvizja e lirë,’ deklaroi Klinaku.
Ai shpjegoi se shumë veteranë, apo edhe familjarë të tyre, përballen me arrestime, ndalime në kufij ose pamundësi për të udhëtuar në perëndim për shkak të këtyre listave të vjetruara.
Për kandidatin e AAK-së, kjo situatë dëshmon një dështim të diplomacisë kosovare për të mbrojtur qytetarët e saj dhe vlerat e luftës çlirimtare.
Klinaku theksoi se shtetet serioze, si Gjermania ku ai jeton, bëjnë çmos për të mbrojtur qytetarët e tyre kudo në botë, ndërsa Kosova ka lënë pas dore heronjtë e saj.
Zgjidhja, sipas Klinakut, kërkon vullnet politik dhe ofensivë diplomatike.
Klinaku beson se kjo nuk është një çështje e pamundur, por kërkon koordinim me partnerët strategjikë.
“Unë e shoh që duhet veç vullnet, edhe mos me u ndal, se kur të heziton ti, kur tenton me bërë diçka dhe e ke diku një pengesë, mos me u ndal, me vazhdu përpara, me vazhdu edhe te qëllimi tjetër ku ti e sheh që pengesa që e pate në rrugëtimin tënd, mos me tentuar edhe me u dorëzuar. Po me shkuar me ato që i sheh të nevojshme që për qytetarët e Kosovës janë, unë e shoh shumë të nevojshme, edhe një herë me e përmendur për shembull, familjarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si njerëz që ata e kanë pasur dikë në ushtri, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pse me u cenuar e drejta e tyre e lëvizjes”, tha ai.
Duke shfrytëzuar rrjetin e diasporës shqiptare, e cila tashmë ka përfaqësues në asamble komunale dhe struktura politike nëpër Evropë, Kosova duhet të ushtrojë presion dhe të argumentojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.
Klinaku e lidhi këtë çështje edhe me dinjitetin kombëtar.
Ai argumentoi se nuk mund të flitet për normalizim marrëdhëniesh apo integrim evropian, përderisa çlirimtarët trajtohen si kriminelë nga burokracitë ndërkombëtare.
Zotimi i tij është që kjo temë të mos mbetet vetëm premtim fushate, por të kthehet në një kusht në bisedimet diplomatike. Për të, liria e Kosovës nuk është e plotë nëse ata që e sollën atë liri mbesin të burgosur brenda kufijve të shtetit të tyre.
